Blog | Kredoversity

si të sillemi me financat tona për një të ardhme më të sigurte!

 

Bota po përjeton vrullshëm pasojat e përhapjes së Coronavirus-it. Paralelisht me këtë, edhe pasojat ekonomike për shkak të masave të forta kufizuese nga autoritetet shtetërore. Të gjithë ne jemi mbyllur në shtëpi prej disa ditësh, dhe paralelisht me shqetësimet për përhapjen e sëmundjes, janë shtuar dhe shqetësimet për gjendjen ekonomike dhe perspektivat e saj.

Por jo çdo gjë e keqe, ndodh për keq. Ajo ka edhe anën e saj pozitive. Sigurisht edhe për atë që ju tashmë jeni të shqetësuar; ekonominë tuaj. Ne do t’ju rendisim disa ndikime pozitive që kufizimi I lirshmërisë në vend ka në ekonominë tuaj personale dhe familjare. Kjo më pas do tiu drejtojë natyralisht tek mësimet e nxjerra nga kjo situatë të cilat do të na vlejnë për të ardhmen.

  1. Makina - Bashkë me ju, edhe makina juaj prej ditësh gjendet në “karantinë”. Një nga masat e forta për parandalimin e përhapjes së Coronavirus ka qenë ai i ndalimit dhe kufizimit të qarkullimit të automjeteve private. Tashmë makina nuk zë një vend të veçantë në shpenzimet tuaja ditore. Shumë prej jush e kanë të pamundur ta përdorin, pjesa tjetër e përdor me orar dhe distanca të kufizuara. Shikoni anën pozitive: Po kurseni shumë para nga makina.
  2. Baret dhe restorantet - Që jemi një popull që pjesën më të madhe të kohës së lirë e shpenzojmë në kafe apo restorante, kjo vërtetohet jo vetëm nga vëzhgimet e përditshme, por edhe nga studimet e realizuara zyrtarisht. Madje kaq shumë jemi të lidhur me baret dhe lokalet, saqë nuk pyetëm as nga Coronavirusi dhe as nga masat parandaluese të autoriteteve shtetërore. Gjithsesi, tani gjithçka është përfundimisht e mbyllur. Ju nuk duhet të mërziteni për këtë, sepse paratë që shpenzonit çdo ditë, janë automatikisht kursime për ju. Dhe për më tepër, kafja turke dhe gatimet e përgatitura në shtëpi nuk janë dhe aq të këqija apo jo?
  3. Veshjet - Nëse qëndrimi në karantinë na dikton të mendojmë për sfida dhe vështirësi të ndryshme, gjëja e fundit që mund të mendojmë në këtë periudhë është dhimbja e kokës për të gjetur paratë për ndryshimin e garderobës dhe blerjen e veshjeve të reja të stinës së pranverës. Dhe jo vetëm keni luksin të mos mendoni, por edhe të mos shpenzoni, dhe automatikisht të kurseni. Askush nuk e di se sa do të zgjasë periudha e karantinimit, por me siguri që për të qëndruar në shtëpi ju mjaftojnë disa kostume sportive.
  4. Udhëtimet - Me siguri që shumë prej jush, janë të mërzitur nga CoronaVirus edhe për shkak të anullimit të planeve tuaja për të udhëtuar në vende të ndryshme të botës. Por kjo nuk është një arsye që duhet të mërziteni totalisht. Ofertat pranverore do te kthehn në oferta fantastike për në vjeshtë dhe ju do të keni të gjitha mundësitë për ti riorganizuar këto udhëtime. Dhe mbase duke qenë se keni kursyer mjaft para nga kjo periudhë të keni mundësi të bëni udhëtime edhe më të bukura.

 

Siç e shihni gjatë kësaj periudhe karantinimi do të keni mundësi që të kurseni shumë para dhe ndofta këto para ti investoni për të ardhmen tuaj. Megjithatë kjo karantinë na mëson edhe diçka tjetër. Shprehja se është më mirë të parandalosh sesa të kurosh, nuk është vetëm një shaka bajate që I shkon përshtat situatës ku ndodhemi, por edhe strategjia e duhur që duhet të ndjekim në të ardhmen në mënyrë që të kemi mundësi të përballojmë me siguri të plotë çdo stuhi që na sjell jeta. 

Covid-19 u dha një leksion të gjithëve në lidhje me rëndësinë e kursimit të parave për periudha të tilla krize. Sigurisht që një nxënës i mirë është ai që mëson nga gabimet e veta, por edhe të të tjerëve. Dhe duke qenë se jeta është një procesi i pandërprerë mësimi dhe që nga ana tjetër mund të rezervojë sërish të papritura, ja 4 këshillat që duhet ti ndiqni patjetër që të jeni të përgatitur për gjithçka.

 

  1. Bëj një plan mujor të të ardhurave të domosdoshme për ty dhe familjen tënde. Kjo do t’ju ndihmojë më shumë të mirëadministroni të ardhurat tuaja familjare
  2. Redukto në maksimum shpenzimet e luksit dhe të panevojshme
  3. Hap një llogari bankare, që nuk duhet ta dijë askush përveç teje për raste krizash
  4. Derdh çdo muaj 5-10% të të ardhurave tuaja në këtë llogari bankare
Kthehu