Blog | Kredoversity

Rregullimi i shërbimeve financiare digjitale – Një përfitim për të gjithë

 

                                   

 

Drejtor i Përgjithshëm Arlinda Muja: Kredo.Al beson dhe praktikon procese edukuese për ndërgjegjësimin e përfshirjes financiare dhe digjitalizimin dhe falë politikave të saj tenton rritjen e përdoruesve të llogarive bankare për klientët e saj.

Kjo konferencë ndërkombëtare u organizua në Shkup nga Z. Goran Lazarevksi, Drejtor Ekzekutiv i Projektit për Përfshirje dhe Inovacion të Mikrofinancave, financuar nga USAID dhe Aleanca e Organizatave të Mikrofinancës së Maqedonisë Veriore.

Qëllimi kryesor i kësaj konference ishte sjellja në një tavolinë e Institucioneve Financiare, Rregullatorëve, Institucioneve të Mbikëqyrjes nga i gjithë Rajoni për të diskutuar së bashku mbi sfidat që sjell digjitalizimi në mikrofinancë, si dhe rezultatet dhe mësimet e nxjerra për përmirësim të vazhdueshëm dhe ndërtimin e një ambienti legjislativ të favorshëm për zhvillimin e mëtejshëm të mikrofinancës.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të shoqatave të mikrokredive nga vendet e Ballkanit si dhe përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Bankave Qendrore nga Estonia, Belgjika, Maqedonia e Veriut, Bosnje-Hercegovina, Shqipëria, Serbia, Italia, Lituania, Polonia, Letonia, Kosova, Kroacia dhe Greqia.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin edhe përfaqësues të grupit investues FINITERA.

Pjesëmarrësit në këtë konferencë shkëmbyen ide dhe pikëpamje në lidhje me proceset e digjitalizimit në shërbimet financiare dhe prespektivat e së ardhmes.

Gjatë fjalës së saj në panelin e diskutimeve, Drejtor i Përgjithshëm i Kredo.AL, Arlinda Muja duke folur për rëndësinë e përfshirjes financiare, rolin e rregullatoreve dhe risqet që sjell në këtë drejtim digjitalizimi, në tërësi tha se Mikrofinancat dhe Rregullatoret duhet të ecin në të njëjtin ritëm me zhvillimet teknologjike dhe kërkesën e tregut për të aksesuar shërbime financiare më të digjitalizuara, dhe se kjo nuk duhet parë si një risi që ul impaktin social, por që zhvillon më tej edukimin e tregut dhe cilësinë e shërbimeve financiare që ata marrin.

Në fjalën e saj, Znj. Muja cilësoi disa aspekte të rëndësishme që Banka Qendrore e Shqipërisë ka përfshirë në rregulloret e saj, të cilat kanë ndihmuar Mikrofinancat për të zhvilluar aktivitetin e tyre si aksesi i plotë në historinë e kreditimit që lejon ndërtimin e analizave me cilësore mbi kreditimin ; procesi i zgjerimit të pikave të shërbimit i cili bazohet në kriteret e zbatueshmërisë dhe shmang proceset burokratike ; ndërtimi i rregullores së transparencës dhe proceseve të monitorimit për zbatimin e saj, e cila lejon dhe rregullon konkurrencën e mirë në treg pa penguar zhvillimin e shërbimeve të ndryshme financiare ; përqasja e çdo institucioni financiar për të komentuar mbi ndryshimet rregullative përpara publikimit nxit angazhimin dhe implementimin e duhur të tyre, etj...

 

Sigurisht, theksoi Znj. Muja që në Shqipëri kemi shumë rrugë përpara drejt digjitalizimit dhe rritjes së përfshirjes financiare dhe të gjithë institucionet në vend do të duhet të gjejnë mënyra bashkëpunimi në mënyrë që të rritet aksesi në llogari bankare, një parametër nga më të ultit në rajon ; do të duhet të pasqyrohet në rregullator mundësia e identifikimit online, e cila është tashmë një praktikë e njohur në Europe dhe vendet e zhvilluara.

Por ajo që është më e rëndësishme është edukimi financiar, i cili duhet të avancohet për të qenë jo thjesht një përllogaritje të ardhurash dhe shpenzimesh, por një rritje e aftësisë analizuese mbi risqet që mbajnë shërbimet financiare dhe mundësia e menaxhimit të këtyre risqeve.

Edukimi financiar në fakt kërkon edhe bashkëpunimin e institucioneve te tjera, kryesisht edhe të institucioneve arsimore. Futja e kësaj praktike si lëndë mësimore do të ishte një ndihmesë edhe më e madhe për brezin e ri.

 

“Unë besoj fort që vetëm një treg i mirë-edukuar, do të jetë shtysa për të gjithë institucionet që ofrojnë shërbime financiare që të rrisin cilësinë, transparencën e shërbimeve të tyre, dhe sigurisht për Institucionet rregullatore një arsye më e fortë për t’I dhënë hov dhe hapësirë operimi shërbimeve financiare të përmisuara dhe digjitalizuara në vend ”, theksoi në diskutimin e saj në panelin e diskutimeve, Drejtor i Përgjithshëm i KREDO.AL, Arlinda Muja.

Kthehu