Kredo.Al nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi me Universitetin Marin Barleti
Kredo.Al dhe Universiteti “Marin Barleti” nënshkruan një memorandum bashkëpunimi. Në ceremoninë e organizuar në mjediset e universitetit “Marin Barleti” palët nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit, i cili do të synojë nxitjen dhe zhvillimin e Edukimit Financiar dhe Inovacionit. Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtoresha e Përgjithshme e Kredo.Al Arlinda Muja dhe Rektori i Universitetit “Marin Barleti”, Mareglen Spiro.
Sipas Memorandumit, SHLUJ “Universiteti Marin Barleti” angazhohet në këtë marrëveshje që të trajtojë me përparësi kërkesat që mund të vijnë nga Kredo
Finance për organizimin e leksioneve te hapura në lidhje me Edukimin Financiar dhe Inovacionin, kërkime shkencore mbi edukimin financiar apo tematika të tjera, pjesëmarrje në aktivitete të lidhura me inovacionin dhe mbeshtetjen e startup-eve të gjeneruara nga studentë të universiteti.
“SHLUJ “Universiteti Marin Barleti” ofron mundësinë për të vënë në dispozicion të Kredo Finance mjediset universitare për zhvillimin e seminareve apo konsultave, si në rastet e bashkëpunimit dypalësh, ashtu dhe për veprimtari të tjera që i organizon vetë Kredo Finance për sa kohë që ato janë në përputhje me vetë veprimtarinë e UMB-së. SHLUJ “Universiteti Marin Barleti” shprehet i interesuar për shkëmbim përvoje me personalitete/ekspertë të Kredo Finance të cilët të angazhohen në mësimdhënie në leksionet që organizon ky institucion si bashkëpunëtorë të jashtëm të tij apo dhe në veprimtari të tjera akademike e shkencore”, thuhet në Memorandumin e nënshkruar mes palëve.
Nga ana tjetër me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, Kredo Finance angazhohet për për zhvillimin e praktikave të studentëve të Universitetit “Marlin Barleti”, pranë saj. Praktikat do të zhvillohen në formë trajnimi, në formë praktike në institucion apo si formë bashkëpunimi për punët shkencore të studentëve (projekte mësimore, detyra kursi apo mikroteza).
“Kredo Finance është i gatshëm të bashkëpunojë me Universitetin “Marin Barleti” për të shkëmbyer përvojën profesionale të zyrtarëve të tij me personalitetet shkencore të institucionit në fjalë të arsimit të lartë, në fusha me interes të përbashkët. Kredo Finance është i interesuar që iniciativat e tij me karakter studimor e social dhe praktikat më të mira të punës të specialistëve të tij, të gjejnë mbështetje organizative dhe intelektuale në realizimin e formimeve afatshkurtra profesionale në fushën e ekspertëve të bankave, institucioneve financiare dhe dhe të audituesve finaciare pranë UMB. Kredo Finance shprehet i gatshëm për përpunimin e projekteve të përbashkëta në konkretizimin e dijeve teknike në formimin e studentëve dhe në aplikime praktike me interes për vendin”, theksohet në memorandumin e bashkëpunimit midis Kredo.AL dhe Universitetit “ Marin Barleti”.