Blog | Kredoversity

Konferenca Vjetore e Institutit Shqiptar të Audituesve të Brendshëm për vitin 2023

Caption

 

 

Në datën 12 Dhjetor 2023 u zhvillua Konferenca Vjetore e Institutit Shqiptar të Audituesve të Brendshëm për vitin 2023. Tema kryesore e konferencës ishte “Rruga drejt ndërtimit të besimit”  “The Road to Building Trust”.

Kjo konferencë ishte një sukses i vërtetë pasi shërbeu si një platformë ku u mblodhën së bashku auditues të brendshëm dhe profesionistë të sektorit privat, financiar, publik, vendas dhe të huaj për të diskutuar rreth cështjeve dhe sfidave aktuale dhe për të eksploruar zhvillimin e profesionit të auditimit të brendshëm.

Midis prezantimeve tepër interesante që u sollën me mjeshtëri nga Presidenti i Konfederatës Europiane të Instituteve të Auditimit të Brendshëm Z. John Bendermacher dhe Z. Maciej Piołunowicz anëtar i Bordit të Standardeve në Institutin Global, u ndanë informacione, risi, prirje në nivel Europian dhe Global në lidhje me risqet në fokus për 2024 (sipas Raportit “Risku në fokus 2024 për Europën), ESG, Standardet e reja Globale të Auditimit të Brendshëm (të cilat do të publikohen në 2024).

Panelet mundësuan diskutimet në nivele më praktike për cështje me shumë interes si transparenca, besimi dhe roli kryesor që luan etika në ndërtimin e besimit brenda institucioneve ku punojmë dhe shoqërisë sonë. Panelistët e ftuar, drejtues dhe profesionistë të spikatur si Z. Deniz Deralla Drejtor i Departamentit të Mbikqyrjes në Bankën Qendore, Znj. Marsela Saraci Drejtore në Drejtorinë e Mbikqyrjes së Tregut të Sigurimeve pranë Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, Znj. Albana Gjinopulli Drejtore e Drejtorisë së Harmonizimit të Auditimit të Brendshëm pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Znj. Lena Andersson eskperte në fushën e antikorrupsionit në rajonin e Ballkanit dhe Europën Juglindore dhe Z. Elefherios Tsintzas Drejtues i Auditimit të Brendshëm në Autoritetin Portual në Selanik, kontribuan me mendimet, sugjerimet dhe informacionet që u vlerësuan shumë nga audienca. Nisma për ndryshime ligjore, rregullative, sfida dhe sugjerime për përmirësime në sektorin financiar dhe publik, praktika të suksesshme dhe sugjerime në lidhje me anti korrupsionin, etikën, kulturën e organizatave, pavarësinë dhe profesionalizmin e auditimit të brendshëm dhe shumë informacione të tjera ishin subjekt i ketij paneli.

Paneli i dytë solli një temë tepër aktuale si risqet e reja në mjedisin vendas dhe si duhet të zhvillohet Auditimi i Brendshëm për t'iu përshtatur këtyre tendencave. Panelistët e ftuar me njohuri të shkëlqyera të tregut shqiptar, në aspekte të ndryshme të tregut, sollën një diskutim praktik dhe me shumë vlerë për pjesëmarrësit në lidhje me të rejat e pritshme në tregun vendas dhe sfidat që hasin institucionet në një botë dinamike e në ndryshim të vazhdueshmëm. Panelistët e ftuar ishin Z. Spiro Brumbulli Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Znj. Arlinda Muja, Presidente e Shoqatës Shqiptare të Mikrofinancës, Znj. Alba Qirjazi, Drejtore e Përgjithshme e Autoritetit të Auditimit Shqiptar për programin e Asistencës së BE, Znj Linda Shomo, Drejtore e Përgjithshme e EasyPay, Z. Teit Gjini, Drejtues i Mazars Albania. Midis risqeve më kryesore në tregun vendas, u përmendën mungesa e profesionistëve të kualifikuar, siguria kibernetike, digjitalizimi, forcimi i kapaciteteve për ndryshimet që priten në lidhje me nismat ligjore për linjëzimin e kuadrit ligjor dhe rregullativ me acquis të BE etj. Shumë sugjerime me vlerë u dhanë për audituesit e brendshëm që do të shërbejnë si prioritete për aktivitetet e Institutit për vitin 2024.

Ndryshimet dhe risitë janë duke ndodhur për shkak të: krizave botërore, pandemisë, konflikteve gjeopolitike, inteligjencës artificiale, punës hibride, revolucionit dixhital etj, dhe të gjithë duhet të pregatitemi për ta mirëpritur, pavarësisht se në cilin funksion shërbejmë në institucione. Audituesit e brendshëm janë shumë mirë të pozicionuar të ndihmojnë si “agjentë” për këtë ndryshim në të mirë të institucioneve dhe të shoqërisë sonë.

 

 

Kthehu