Blog | Kredoversity

Digjitalizimi i Institucioneve të Mikrofinancës

 

Kredo.al merr pjesë në tryezën e organizuar nga AMA me temë: “Mikrofinanca e së nesërmes, Digjitalizimi i Institucioneve të Mikrofinancës”.

 

Kredo.Al ka marrë pjesë në tryezën e diskutimit të organizuar nga Shoqata Shqiptare e Mikrofinancës, në bashkëpunim me Microfinance Centre (MFC) dhe me mbështetjen e Bashkimit Europian. Tema kryesore e kësaj tryeze diskutimi “Mikrofinanca e së nesërmes, Digjitalizimi i Institucioneve të Mikrofinancës”.

Diskutimet në këtë tryezë u përqendruan në kuadrin ligjor, rregullator dhe atë të përputhshmërisë, të lidhur me procesin e digjitalizimit të shërbimeve dhe produkteve të mikrofinancës.

Në këtë tryezë diskutimi, Kredo.Al përfaqësohej nga Drejtoresha e Përgjithshme Arlinda Muja dhe Drejtoresha e Ligjorit dhe Përputhshmërisë, Rezana Balla.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë, Departamenti i Mbikëqyrjes, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Shoqata e Bankave, Agjensia e Sigurimit të Depozitave, si edhe përfaqësues të Institucioneve të Mikrofinancës, ekzekutivë të fushës juridike dhe rregullatore, dhe juristë me eksperiencë në fushën e legjislacionit të digjitalizimit.

Gjatë takimit u diskutuan çështje të ndryshme të aspektit ligjor, që kanë të bëjnë me identifikimin elektronik të klientit, me nënshkrimin elektronik, me kontratën elektronike dhe nëse ajo do merret parasysh si e tillë nga gjykatat në vend, si edhe me tërësinë e procesit të ofrimit të shërbimeve dhe produkteve financiarë në platforma digjitale, dhe cfarë kompleksiteti sjell kjo në kuadrin ligjor dhe rregullator.

Gjatë këtij takimi, Drejtoresha e Ligjorit dhe Përputhshmërisë së Kredo.AL, Rezana Balla e cila është zgjedhur njëkohësisht edhe Kryetarja e Komitetit Ligjor të AMA-s, bëri një prezantim në të cilin paraqiti sfidat e legjislacionit shqiptar në lidhje me procesin e digjitalizimit të shërbimeve financiare. Në këtë prezantim ajo renditi gjithashtu dhe të gjitha avantazhet e procesit të aplikimeve online.  ‘’Numri i transanksioneve të klientëve nëpërmjet mjeteve elektronike, pajsjeve të ndryshme telefonave eshte rritur. Sigurohet efiçiencë dhe produktivitet më i lartë. Rritet konkurrenca dhe demokratizimi. Zgjedhje më të lehta për konsumatorët. Siguron parandalimin e Pastrimit të Parave. Inovacioni financiar mund të rezultojë në modele të reja biznesi; aplikime; produkte e proçese të reja’’, theksoi Balla. Ajo përmendi një sërë ligjesh, të cilat janë të rëndësishme në proceset e dixhitalizimit të shërbimeve financiare duke u ndalur në ligjet që lidhen me çështjet e parandalimit të pastrimit te parave.  

Pjesëmarrësit në ëorkshop ranë dakord dhe mbështetën propozimet e bëra për domosdoshmërinë e përmirësimit të kuadrit ligjor në lidhje me shërbimet digjitale financiare.

Përfaqësuesit e Departamentit të Mbikqyrjes nga Banka e Shqipërisë mbështeti idenë për ndryshimin e Rregullores për Parandalimin e Pastrimit të Parave.  Kurse Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave u shpreh dakord që institucionet mikrofinanciare mund të mbështeten në identifikimin e klientëve ngga palët e treta, pra nga bankat e nivelit të dytë.

Kthehu